Projektligji ri krijon hapësirën e posaçme ligjore për emetimin e obligacioneve të mbuluara
Projektligji krijon për herë të parë një regjim të posaçëm për emetimin dhe mbikëqyrjen e obligacioneve të mbuluara.
Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për emetimin e obligacioneve të mbuluara dhe mbikëqyrjen e tyre”, i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Nisma synon krijimin e një regjimi të posaçëm, të plotë dhe të harmonizuar për emetimin, funksionimin, administrimin dhe mbikëqyrjen publike të obligacioneve të mbuluara në Shqipëri.
Obligacioni i mbuluar është një titull borxhi i emetuar nga një institucion krediti dhe i siguruar me një grup të veçuar aktivesh me cilësi të lartë. Mbi këto aktive investitorët kanë të drejtë përparësie, krahas pretendimit të drejtpërdrejtë ndaj institucionit të kreditit që ka emetuar obligacionin.
Sipas relacionit, projektligji krijon bazën juridike për përdorimin e obligacioneve të mbuluara si instrument financimi afatgjatë nga institucionet e kreditit, duke kërkuar që çdo emetim të mbështetet në aktive të pranueshme, të identifikueshme, të vlerësuara dhe të veçuara nga aktivet e tjera të emetuesit.
Mbrojtje e dyfishtë për investitorët
Projektligji parashikon një sistem të integruar mbrojtjeje për investitorët. Ai përfshin mbrojtjen e dyfishtë, veçimin e grupit të mbulimit nga masa e likuidimit, ndalimin e përshpejtimit automatik të pagesave, kërkesat për mbulim dhe mbikolateralizim, rezervën e likuiditetit, monitorimin e pavarur të grupit të mbulimit dhe mbikëqyrjen publike të programit.
Kuadri i ri rregullon kushtet për emetimin dhe miratimin e programeve të obligacioneve të mbuluara nga institucionet e kreditit të themeluara në Shqipëri, si dhe karakteristikat strukturore të këtyre instrumenteve. Këtu përfshihen aktivet e pranueshme, përbërja e grupit të mbulimit, kontratat derivative, financimi i përbashkët dhe veçimi i aktiveve nga procedurat e falimentit.
Mbikolateralizim minimal 5 për qind dhe rezervë likuiditeti për 180 ditë
Projektligji vendos kërkesa sasiore dhe cilësore për mbulimin e detyrimeve. Sipas relacionit, obligacionet duhet të garantohen në çdo kohë me aktive të pranueshme dhe me cilësi të lartë, të vlerësuara në mënyrë të kujdesshme dhe të dokumentuara në një regjistër të posaçëm.
Parashikohet mbulimi i principalit, interesit, detyrimeve që rrjedhin nga kontratat derivative dhe kostove të administrimit, ndërsa mbikolateralizimi minimal ligjor përcaktohet në 5%. Për reduktimin e rrezikut të likuiditetit vendoset gjithashtu detyrimi për një rezervë të grupit të mbulimit, e aftë të përballojë daljen maksimale kumulative neto të likuiditetit për 180 ditët pasuese.
Kuadri përfshin gjithashtu kërkesa për përputhjen e flukseve monetare dhe mundësinë e zgjatjes së maturimit, si dhe rregulla për regjistrin e grupit të mbulimit, monitoruesin e pavarur, administrimin e rreziqeve dhe kryerjen periodike të provave të rezistencës.
AMF dhe Banka e Shqipërisë me role në miratim dhe mbikëqyrje
Projektligji përcakton kompetencat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës së Shqipërisë për miratimin, mbikëqyrjen, raportimin, kontrollin dhe marrjen e masave ndaj programeve të obligacioneve të mbuluara. Synohet krijimi i procedurave të parashikueshme për opinionin paraprak të Bankës së Shqipërisë dhe miratimin e programit nga AMF.
Rregulla të posaçme parashikohen edhe për vazhdimësinë e programit në rast paaftësie paguese, ndërhyrjeje të jashtëzakonshme ose likuidimi të detyruar të institucionit emetues. Në këto raste përcaktohet edhe mundësia e caktimit të një administratori të posaçëm dhe detyrat që ai duhet të ushtrojë.
Kontroll mbi rreziqet dhe më shumë informacion për investitorët
Një tjetër objektiv është forcimi i administrimit të rreziqeve që lidhen me programet e obligacioneve të mbuluara. Kuadri përfshin rrezikun e kredisë, të tregut, të normës së interesit, të kursit të këmbimit, rrezikun operacional dhe atë të likuiditetit, si dhe detyrimin për kryerjen periodike të provave të rezistencës.
Projektligji kërkon gjithashtu transparencë të vazhdueshme ndaj investitorëve për përbërjen dhe cilësinë e grupit të mbulimit, nivelin e mbulimit, strukturën e maturimit dhe rreziqet e programit. Parashikohen masa mbikëqyrëse, sanksione administrative dhe publikimi i vendimeve, si dhe rregulla për përdorimin e emërtimeve “obligacion i mbuluar”, “obligacion evropian i mbuluar” dhe “obligacion evropian i mbuluar (Premium)”.
Synohet financimi hipotekor dhe i ekonomisë reale
Sipas relacionit, një nga objektivat kryesore është diversifikimi i burimeve të financimit afatgjatë të institucioneve të kreditit dhe krijimi i kushteve për kanalizimin e kursimeve institucionale drejt financimit hipotekor, sektorit publik dhe ekonomisë reale.
Projektligji synon njëkohësisht përafrimin e kuadrit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian, rritjen e mbrojtjes dhe besimit të investitorëve, forcimin e integritetit të tregut dhe përgatitjen e infrastrukturës shqiptare për integrimin me mekanizmat evropianë, përfshirë Pikën e Vetme Evropiane të Aksesit (ESAP).
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)